UBT News

Mbërrijnë edhe 37 afganë të tjerë në Shqipëri

37 shtetas të tjerë afganë mbërritën të enjten në Shqipëri. Avioni me refugjatë udhëtoi tranzit nga Aeroporti i Kievit dhe u ul në Rinas në orët e para të mëngjesit.

Ata janë kryesisht punonjës të organizatave ndërkombëtare, ndërsa mes tyre kishte edhe fëmijë e të moshuar që janë larguar nga Afganistani për t’i shpëtuar ndëshkimit të regjimit të talibanëve.

Të ardhurit plotësuan formularin e të dhënave personale dhe iu nënshtruan procedurave standarde të kontrolleve paraprake shëndetësore në qendrat e përkohshme të ngritura në Rinas.

Më pas ata udhëtuan me autobus drejt qytetit Studenti në Tiranë, aty ku do të qëndrojnë përkohësisht në pritje të transferimit në një prej strukturat hoteliere në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë që një pjesë e refugjatëve afganë të mbërritur më parë në Shqipëri janë larguar tashmë nga qyteti Studenti dhe janë strehuar në hotelet e bregdetit të Shëngjinit.

Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 644 persona, të cilët janë strehuar në Tiranë, Durrës e Lezhë.

Qeveria shqiptare ka bërë të ditur se Shqipëria do të pranojë deri në katër mijë refugjatë afganë.

Exit mobile version