UBT News

Mbahet seanca për gjykimin e parë në mungesë për krime lufte

Është mbajtur seanca fillestare për gjykimin e parë në mungesë, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq. Në seancën e mbajtur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, u tha se i njëjti ngarkohet për krime lufte nga janari deri në maj të vitit 1999. Në aktakuzën e prezantuar nga prokurorja speciale, thuhet se Aksiq ka marrë pjesë në këto krime në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë të Shtimes.

Prokurorja speciale, Habibe Salihu ka lexuar aktakuzën për gjykim në mungesë ndaj Çedomir Aksiq, ku tha se është vërtetuar dyshimi se i akuzuari nga janari deri në maj të vitit 1999 duke bashkëvepruar me një grup njerëzish ka shkaktuar vuajtje të mëdha, cenim të integritetit e vrasje.

“I akuzuari Çedomir Aksiq në periudhën kohore janar-maj 1999 duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, deri më tani të pa identifikuar, të organizuar dhe të veshur me uniforma policore, paramilitare e militare ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha po cenim i integritet trupor ose të shëndetit, frikësimit ndaj popullatës së pambrojtur civile për shkaqe që lidhen me konfliktin, luftën, drejtuar me qëllim kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë, ashtu që gjatë konfliktit me karakter jo ndërkombëtar të zhvilluar në mes të pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave ushtarake të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe forcave policore të Serbisë, me dashje i shkel rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civil”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, ajo theksoi se në fillim të muajit prill, i akuzuari bashkë me një grup njerëzish kriminal në pikën “Kodra e Gështenjave” në mes të Shtimes dhe fshatrave Mulapolc, Reçak dhe Petrovë, kishin urdhëruar dëbimin e gjithë banorëve të lagjes.

“I akuzuari Çedomir Aksiq me datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminale, grup ky i organizuar, i veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetet trupor ose të shëndetit, frikësimi, ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, udhërimi për zhvendosjen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë, ashtu që ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimi, Hakin Murati, Sabri Murati, Arif Murati, Ahmet Mustafës, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujota, në atë mënyrë që deri sa kishin filluar sulmet e armatosura në drejtim të popullatës shqiptare civile dhe derisa i moshuari Hajriz Brahimi kishte filluar të largohet nga shtëpia e tij dhe po shkonte në drejtim të malit, papritmas i akuzuari me grupin e tij, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe është goditur menjëherë dhe pas disa sekondash Hajriz Brahimi ka rënë për toke i vdekur”, shtoi ajo.

Prokurorja speciale theksoi se i akuzuari Çedomir Aksiq ka kryer veprën penale “Krim i Luftës kundër Popullsisë Civile”.

Paraprakisht, prokurorja Habibe Salihu para trupit gjykues tha se qysh në fazën e hetimeve ka ndërmarrë veprime dhe kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore, me qëllim të sigurimit të prezencës së të akuzuar.

“Fillimisht kemi siguruar adresën të cilën e ka pasur në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk ka qenë asnjëherë prezent në atë adresë, gjatë kohës sa është kërkuar. Kemi vepruar sipas procedurave që janë të parapara, kemi lëshuar urdhëresë, në mungesë të sigurimit të prezencës të tij gjatë zbatimit të hetimeve kemi siguruar adresën ku i njëjti e ka në Republikën e Serbisë. Kemi bërë kërkesë përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar me qëllim që të dërgohet ftesa, kemi marrë përgjigje Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar se nuk ka mundur të sigurohet prezenca e këtij të pandehuri. Meqë janë plotësuar të gjitha kushtet sipas Kodit të Procedurës Penale kemi pritur për afatin ligjor për gjashtë muaj për shpallje publike, me qëllim qe të njoftohet i njëjti, pasi ka kaluar afati prej gjashtë muaj kemi konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore dhe bazuar në dispozitat ligjore kemi paraqitur aktakuzë për gjykim në mungesë. Po ashtu duke vepruar sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale kemi bërë shpallje publike në faqen zyrtare të Prokurorit të Shtetit, për aktakuzën dhe kohën e mbajtjes së kësaj seance”, deklaroi ajo.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Namani tha se janë plotësuar kushtet qe të nis gjykimi në mungesë.

“Gjykata konform nenit 303, paragrafi 4, të Kodit të Procedurës Penale merr aktvendim: Mbahet gjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, pasi që janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 303, paragrafi 7 dhe paragrafi 8 i Procedurës Penale. I akuzuari Çedomir Aksiq do të përfaqësohet nga mbrojtësi Zharko Gaiq gjatë tërë kësaj procedure penale”, u shpreh ajo.

Gjykatësja e ka udhëzuar mbrojtësin e të akuzuarit që në afat prej 30 ditësh të paraqes kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Exit mobile version