UBT News

MB: Sipas një hulumtimi, më shumë se 1 milion njerëz do të përballen me varfëri këtë dimër

Instituti Legatum, i udhëhequr nga ish-këshilltarja e qeverisë, Philippa Stroud, vlerësoi se edhe nëse kufiri i çmimit të energjisë do të mbahej në normën e verës prej 1,971 £, përsëri 1.3 milion njerëz do të rrëshqasin nën kufirin e varfërisë relative krahasuar me normat para pandemisë.

Megjithatë, Legatum tha se ndërhyrja e qeverisë për të ngrirë çmimet e energjisë – gjë e cila pritet të ndodhë këtë javë – do të ishte thelbësore për të shmangur atë që përndryshe do të ishte një shpërthim edhe më drastik në varfëri.

Instituti vlerësoi se nëse ministrat nuk do të arrinin të trajtonin çmimet e gazit dhe energjisë elektrike, dhe kufiri i çmimit të energjisë të rritej siç ishte parashikuar në 3,549 £ në tetor dhe përsëri në janar në 5,300 £, atëherë numrat e varfërisë në MB do të rriteshin në 16.65 milionë, krahasuar me normën e viteve 2019-2020 prej 13.9 milionë.

Sipas ekonomistëve, ngrirja e çmimit të energjisë nga Liz Truss mund të zbusë recesionin në Mbretërinë e Bashkuar.

Me rënien e standardeve të jetesës, shumë njerëz me të ardhura të ulëta do të luftonin ende me rritjen e çmimeve sa i përket ushqimit, veshmbathjeve, qirasë dhe transportit, për shkak se çmimet e energjisë veçse mbeten të larta.

“Edhe nën supozimin e çmimeve të energjisë të fiksuara në nivelet e verës 2022, do të ketë ende 15.2 milionë njerëz në varfëri gjatë periudhës 2022-2023. Ky do të ishte numri më i madh i njerëzve [në Mbretëri të Bashkuar] në varfëri që kur Komisioni i Metrikës Sociale filloi matjen e varfërisë në 2000-01, dhe një rritje prej 1.3 milionë krahasuar me nivelet para pandemisë”, thuhet në analizë.

“Qeveria nuk duhet të ishte kthyer kurrë në një cep ku është e detyruar të injektojë miliarda për të ngrirë çmimet e energjisë. Megjithatë, të dhënat tona tregojnë se janë të nevojshme masa drastike për të ndaluar mbi 2.5 milionë njerëz të tjerë që të hyjnë në varfëri”, përfundoi Stroud.

Exit mobile version