Ndonëse nuk i ka mundësitë të ofrojë të gjitha shërbimet e nevojshme, Materniteti i Shtëpisë së Shendetit në Preshevë, po ndikon pozitivisht në shëndetin e grave e vajzave të trevës. Problemet më të mëdha të këtij materniteti, janë mungesa e sallës së operacionit dhe anestezionit, për çka zakonisht gratë, nuk mund të marrin shërbimin kur ato bëjnë lindjet e para të fëmijëve.
Lirigzona Nuredini
Preshevë, 7 qershor – Valdete Miftari bëri lindjen e fëmijës së saj të tretë në maternitetin e Shtëpisë së Shëndetit në Prishevë. Ajo është e kënaqur me shërbimin që merr aty. Thotë se mirëpritet nga stafi shëndetësor, porse e bënë të ndihet rehat edhe fakti se stafi i flet në gjuhën shqipe.
“Jam e kënaqur me punën që e bënë ky staf profesional, duke na mundësuar të ndjehemi më rehat. Unë e kam bërë lindjen e tretë dhe me të vërtetë është shumë e mirë që ne si nëna shqiptare të lindim në vendin ku flasim shqip”, tha ajo.
Megjithatë, materniteti i Shtëpisë së Shëndetit të Preshevës, nuk ofron të gjitha shërbimet e nevojshme për secilën lindje. Mungesa e sallës së operacionit dhe anestezionit, janë mungesa të theksuara. Si rrjedhojë, gratë që lindin për herë të parë, nuk mund të shërbehen në këtë ambient dhe detyrohen që lindjet t’i bëjnë në spitalin e qytetit të Vranjës. Materniteti ka nevojë për shtim të kapaciteteve edhe në aspekte tjera teknike e profesionale. Megjithatë, që nga hapja e tij, me 13 korrik të vitit 2015, që ishte bërë edhe me mbështetje të donatorëve nga ndryshëm, në këtë ambient kanë lindur 241 fëmijë.
Doktor Astrit Berisha, njëherësh zëvendësdrejtor në Shtëpinë e Shëndetit, thotë se është në dobi për vendin që gratë të lindin në këtë maternitet.
“Në përgjithësi, gratë shtatëzëna kanë dobi nga hapja e maternitetit këtu, sepse e kanë afër vendin ku duhet të shkojnë qoftë për kontrollime qoftë për konsultime, por dhe për lindje”, tha Berisha për UBTNEWS.
Ai tregon se jo të gjitha gratë mund të kryejnë lindjet e fëmijëve në institucionin që ai bashkëdrejton. Në këtë ambient, thotë ai, bëhen lindjet e caktuara të referuara nga mjeku përgjegjës i pacientes.
“Pikërisht për këtë gjë, vetëm një numër i grave shtatëzëna kryejnë këtu lindjen, ato që lindin për të dytën herë dhe ato që i kanë parametrat normal për një lindje”, tha ai për UBTNEWS.
Ndaras nga gjinekologjia ku janë të punësuar 3 gjinekolog në shërbim të grave, në maternitet punojnë 3 gjinekologe dhe 3 infermiere akushere.
Remzije Berisha gjinekologe në maternitet thotë për UBTNEWS që materniteti ofron nivel të lartë të numrit të shërbimeve, pavarësisht kushteve jo krejtësisht të duhura në të cilat punojnë.
“Gjinekologët kanë numër të madh të pacientëve, mbi 100 kontrollime gjatë një muaji”, tha ajo.
Pos lindjeve, materniteti ofron edhe shërbime tjera për kujdesin shëndetësor të grave.
Imrane Rexhepi infermiere kryesore thotë se hapja e maternitetit ka ofruar mundësi shumë të mirë për gratë dhe fakti që ato mirëpriten nga stafi profesional, që kryesisht janë gra, i bënë që të shprehen më lirshëm.
“Është shumë e arsyeshme kur grave u jepet hapësirë që të shprehen për shumë probleme gjinekologjike. Gjithësesi materniteti ka rezultuar me efikasitet edhe në parandalimin e shumë sëmundjeve”, tha ajo.
Me shërbim 24 orësh për çdo ditë të javës, materniteti bënë ngritje të njohurive te pacientet për rëndësinë e shëndetit gjinekologjik.
“Ndihma ime për gratë është shërbim që përfshinë vetëdijësimin e saj gjatë shtatëzënisë, si të ushqehet, të mbrohet nga punët e rënda fizike, të merret me aktivitet fizik, të bëjë kontrollet e rregullta gjinekologjike, të mbajë higjijenen personale, si të kujdeset për bebën, etj”, thotë ajo.
Në këto kohë të dominimit të situatës nga pandemia e shkaktuar nga COVID19, në këtë maternitet ka pasur numër të shtuar të pacienteve të cilave u janë ofruar shërbime të ndryshme mjekësore e këshilla shëndetësore./UBTNews