Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, qëndroi për vizitë Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci, me ç’rast u zhvillua një diskutim i hapur rreth strategjisë së Bankës Botërore për Kosovën për periudhën 2023-2027.
Në këtë diskutim në panel mori pjesë edhe rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili falënderoi Drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci, për prezantimin e tij dhe vizitën në UBT, njëherit e njoftoi atë rreth të arriturave të UBT-së dhe vizionit për të krijuar hapësira të reja për të rinjtë në fushën e arsimit, shkencës dhe teknologjisë, si dhe për hapjen e sa më shumë vendeve të reja të punës.
Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci foli rreth strategjisë së Bankës Botërore për Kosovën për periudhën 2023-2027, duke prezantuar para të pranishmëve kornizën e re të partneritetit të vendit (Country Partnership Framework (CPF)) për Kosovën, si dhe trendet kryesore të zhvillimit në vend.
Sipas Paolucci-t, në Kosovë është bërë progres i konsiderueshëm në tejkalimin e trashëgimisë së luftës, progres i qëndrueshëm ekonomik që nga pavarësia, teksa si trende të tjera të zhvillimit konsiderohen rimëkëmbja ekonomike pas COVID-19, kalimi gradual nga një marrëse e remitancave nga diaspora në një furnizuese të shërbimit për diasporën e saj kryesisht me bazë në Bashkimin Evropian, si dhe progresi i konsiderueshëm në rritjen e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit politik të grave.
Paolucci njashtu theksoi se për të arritur progres të qëndrueshëm në reduktimin e varfërisë dhe prosperitetin e përbashkët, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes konkurruese që përmirëson bilancin tregtar dhe krijon më shumë vende pune.
Massimiliano Paolucci është shtetas italian me më shumë se njëzet vjet përvojë pune në zhvillimin ekonomik, teksa në një kohë ishte përfaqësues special i Grupit të Bankës Botërore në institucionet Evropiane, NATO, Mbretërinë e Belgjikës dhe Dukatin e Madh të Luksemburgut, një post që ai e ka mbajtur që nga 1 nëntori 2013.