Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do vazhdojë me subvencionimin e teksteve shkollore edhe për vitin 2024-2025, ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas takimit që ka mbajtur me drejtorët komunalë të arsimit.
Në një konferencë për media, Nagavci ka thënë se procesi i subvencionimit mund të bëhet që nga nesër në platformën E-Kosova, sikurse vitin e kaluar, nga prindërit.
E para e arsimit ka thënë se nxënësit nga klasa e 1-5 do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa nga klasa e 6-9 do të subvencionohen me 110 euro.
“Mbajtëm mbledhjen me drejtoritë komunale të Arsimit ku me drejtorët diskutuam për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor. Temë shumë me interes është furnizimi me tekste dhe mjete mësimore. Edhe sivjet i kemi kushtuar tejet kujdes. Edhe këtë vit, tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen si vitin e kaluar duke subvencionuar prindërit, të cilët mund të aplikojnë qysh nesër”.
Ajo ka shtuar se ky proces është “transparent, shmang mundësinë e çdo keq planifikimi që ka ndodhur në të kaluarën”.
“Ky proces është transparent, shmang mundësinë e çdo keq planifikimi që ka ndodhur në të kaluarën. Aplikimi do të fillojë nesër në platformën E-Kosova. Sipas kërkesave, nxënësit nga klasa e 1-5 do të subvencionohen me nga 80 euro, ndërsa nga klasa e 6-9 do të subvencionohen me 110 euro”, u shpreh Nagavci./UBTNews/