Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka thënë se nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor në të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe atë të lartë.
MAShTI tha se përkundër përgatitjeve, fillimi i suksesshëm i vitit të ri shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK dhe i është bashkëngjitur edhe SBAShK-u.
“Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës. Duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”, thuhet në njoftimin e MAShTI-it.
Tutje, sipas MAShTI-it, as kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, e as dikush tjetër përveç autoriteteve qendrore e lokale s’ka të drejtë për të shpallur mbylljen e shkollave dhe as t’i pengojë të punojnë ata që sipas MAShTI-it, duan të punojnë.
“Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Më tej, MAShTI thotë se secili problem mund të zgjidhet, por sipas tyre, proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët që kanë nevojë për arsim.
Kujtojmë se kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se greva vazhdon dhe ka kërkuar nga prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë, pasi mësimdhënësit janë në grevë.
“Nxënësit s’kanë çka të vijnë në shkollë pasi mësimdhënësit janë në grevë të cilën nuk e deshën por s’patën zgjidhje tjetër. Grevën nuk po e bëjnë individët, është vullnet i shprehur nga punëtorët e arsimit, por edhe punëtorëve të tjerë”, tha Jasharaj.