UBT News

MAShTI merr vendim për rishikim të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për klasat nga 1 deri 9

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim për të rishikuar kurrikulat lëndore/programeve mësimore për arsimin fillor (1-5) dhe të mesëm të ulët (6-9). Raporti final dhe rekomandimet duhet të dorëzohen më së largu deri më 30 prill të këtij viti.

Po fillojmë procesin e rishikimit të kurrikulave lëndore dhe programeve mësimore për arsimin fillor (klasat 1–5) dhe arsimin e mesëm të ulët (klasat 6–9). Me këtë proces të përditësimit dhe modernizimit në përputhje me Kornizën Kurrikulare dhe kurrikulat bërthamë, synojmë ngritjen e rezultateve të nxënësve, zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të tyre”, ka shkruar ministrja në detyrë e MASHT-it, Arbërie Nagavci në një postim në “Facebook”.

Ajo ka thënë se rishikimi i kurrikulave dhe programeve mësimore po bëhet me qëllim për të rritur cilësinë e tyre dhe harmonizuar me dokumente strategjike.  Ajo ka thënë se ky proces do të ndihmojë edhe lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe të peshës së çantës.

Ky proces do të mundësojë edhe zhvillimin dhe ofrimin e teksteve shkollore cilësore, burimeve të tjera mësimore që mbështesin procesin e të nxënit, lehtësimin e ngarkesës së fëmijëve dhe peshës së çantës.  Mbesim të përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit përmes politikave të qëndrueshme, zhvillimit të kurrikulave bashkëkohore dhe ofrimit të teksteve shkollore cilësore, me qëllim krijimin e një sistemi arsimor që i përgjigjet nevojave të nxënësve, mësimdhënësve dhe zhvillimit afatgjatë të shoqërisë sonë”, ka shkruar Nagavci.

Exit mobile version