UBT News

MAShTI lanson pakon “Module tematike për mbrojtjen e fëmijës”

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka lansuar pakon e moduleve për mbrojtjen e fëmijëve, e mbështetur nga Care International në Ballkan, organizata SIT dhe YMCA, përmes fondeve nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim. Kjo pako përmban 12 module, të cilat trajtojnë çështjen e mbrojtjes së fëmijëve në internet, promovimin e barazisë gjinore, parandalimin e dhunës në familje, trafikimit të fëmijëve, gjuhës së urrejtjes, martesave të hershme, etj.

Në ceremoninë e lansimit të “Module tematike për mbrojtjen e fëmijëve”, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e vlerësoi si ngjarje me rëndësi publikimin e këtij materiali, pasi sipas saj shtron rrugën për mbështetje institucionale në mbrojtjen e secilit fëmijë.

“Sot po e shënojmë finalizimin e një pune të madhe, e cila i ka në qendër më të vegjlit dhe më të dashurit tanë. Lansimi i pakos së moduleve tematike për mbrojtjen e fëmijës është një ngjarje me rëndësi të veçantë, sepse shtron rrugën për mbështetje institucionale në mbrojtjen e secilit fëmijë… Ministria e Arsimit e ka parim kyç sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve ndaj çdo dukurie negative dhe ofrimin e një mjedisi të sigurt për ta. Në këtë frymë është hartuar edhe kjo pako udhëzuese për mbrojtjen e fëmijëve dhe me anë të këtyre moduleve MASHT-i synon që asnjë fëmijë të mos e braktisë shkollimin por të vijojë mësimin e sigurt dhe me kushte sa më të mira e me kënaqësi për ta”, tha Nagavci.

Realizimin e kësaj pakoje me modulet për mbrojtjen e fëmijës e ka mbështetur edhe organizata për Sistemin Informativ të Tregut në Kosovë (SIT).

Drejtori ekzekutiv i organizatës, Kadri Gashi derisa falënderoi të gjitha ata që kanë kontribuuar në realizmin e këtij projekti, tha se kanë për qëllim t’iu mundësojnë të rinjve të promovojnë stile të shëndetshme të jetës jo të dhunshme dhe të barabarta gjinore.

“Qëllimi i këtij programi ka qenë programi i vitit 2007 kur është filluar për herë të parë në Ballkan dhe ka vazhduar në Kosovë, ku qëllimin kryesor e ka pasur programi për parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe njëkohësisht iniciativa për thyerjen e qëndrimeve apo sjelljeve për të arritur barazinë gjinore ndërmjet të rinjve dhe të rejave. Ajo që jemi munduar vazhdimisht ta bëjmë në bashkëpunim me të gjithë institucionet deri më tash ka qenë integrimin i edukimit për shkathtësitë të jetës në kurrikulat shkollore në shkollat e mesme dhe shkollat fillore në mënyrë që të mundësojmë që të rinjtë të përdorin dhe të promovojnë stile të shëndetshme të jetës jo të dhunshme dhe të barabarta gjinore, të cilat kontribuojnë në një shoqëri paqësore”, tha Gashi.

Ndërkaq, edhe organizata YMCA dha mbështetje në krijimin e këtyre moduleve.

Drejtoresha ekzekutive në këtë organizatë, Dorina Gllogjani potencoi se përmes këtij doracaku të rinjtë dhe mësimdhënësit do të kenë mundësi të përfitojnë dhe të jenë kontributdhënës të shëndoshë në shoqëri.

“Si organizatë jemi shumë të lumtur që po e shënojmë sot përfundimin e një procesi mjaftë të gjatë për institucionalizimin e programit Y, i cili është një nga modulet të përfshira në këtë paketë, dhe fillimin e një procesi të ri, implementimin e këtij programi në më shumë qytete nga më shumë mësimdhënës tek më shumë të rinj. Në mënyrë që më shumë të rinj dhe komunitete të kenë mundësi të përfitojnë nga përvoja e gjatë dhe e dëshmuar e programit Y…Prandaj, edhe si organizatë implementuese jemi të sigurt që përmes këtyre moduleve edhe më shumë të rinj në më shumë qytete, më shumë mësimdhënës do të kenë mundësi të përfitojnë të jenë më të përgatitur për jetë, do të jenë kontributdhënës të shëndoshë në shoqëri”, potencoi Gllogjani.

E për programin në përgjithësi foli përfaqësuesja e Care International Balkans në Kosovë, Rita Berisha.

“Ky projekt që po zhvillohet tash e 17 vite ka mbulueshmëri gjithëpërfshirëse ngase ne punojmë me shkollat fillore, shkollat e mesme, universitetet, stafin mësimdhënës, të rinjtë në rrezik duke përfshirë qendrat korrektuese, punëtorët social, prindërit e gazetarët. Jemi mëse të lumtur për bashkëpunimin që kemi ndërtuar me ministritë e arsimit në rajon ky program ‘Y’ është i akredituar në Kosovë qysh nga viti 2012. Programi ‘Y’ fokusohet në pesë fusha kryesore: luftimi i stereotipeve gjinore, parandalimi i dhunës duke përfshirë dhunën seksuale, shëndetin seksual e riprodhues dhe parandalimin e alkoolit dhe abuzimit me droga. Në përgjithësi programi në rajon ka arritur 130 mijë të rinj, 1800 staf mësim dhënës duke bërë ndryshim të rëndësishëm në mjedisin e përgjithshëm të shkollave dhe të rinjve që kanë qenë pjesë e programit”, tha Berisha.

Autore të doracakut “Module tematike për mbrojtjen e fëmijës” janë Merita Januzi, Azize Sekiraqa, Shqipe Gashi dhe Habibe Buzuku. 

Exit mobile version