Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke punuar në planin mbi strategjinë e digjitalizimit në arsimin e lartë për periudhën 2021-2027.
Ministri në detyrë, Ramë Likaj shtoi se për vitin 2021 janë paraparë shumë projekte duke filluar nga përfshirja e fëmijëve në arsimit parashkollor, para universitar dhe atë të lartë.
Likaj tha se janë duke u ndërtuar edhe shumë institucione të reja nga fondi qeveritar, në mënyrë që të ndihmojnë qasjen e fëmijëve dhe arritjen e tyre në shkolla.
“Për vitin 2021 ka projekte shumë. E kemi gjithpërfshirjen, pastaj përfshirjen e fëmijëve në arsimin parashkollor i cili është një prej prioriteteve që ka Qeveria e Kosovës. Janë ndërtuar shumë institucione të reja dhe janë duke u ndërtuar me fonde të qeverisë dhe ka projekte që e ndihmojnë qasjen e fëmijëve dhe arritjen e tyre në arsimin parashkollor. Ndërsa në arsimin parauniversitar ka projekte në fushën e trajnimit të mësimdhënësve dhe në fushën e mësimit profesional. Ndërsa në arsimin e lartë jemi duke punuar në aspektin e legjislacionit dhe ndërtimin strategjisë së re që është plani 2021-2027 strategjia mbi digjitalizimin në arsim. Ne shpresojmë të ketë përmirësime dhe jemi duke punuar në atë drejtim dhe jemi duke u munduar të sigurojmë infrastrukturë më të mirë edhe tekste shkollore më të mira dhe trajnim adekuat të mësimdhënësve”, u shpreh ai.
Ndërsa sa i përket testit të arritshmërisë dhe maturës, Likaj tha ka një progres te tekstet mësimore, të cilat janë duke u rishikuar nga Këshilli Shtetëror i Maturës.
“Përgatitjet bëhen të zakonshme. Arsimtarët janë duke u trajnuar në vazhdimësi edhe projektet të cilat e kanë përkrahur këtë edhe donatorët dhe partnerët janë duke punuar për testin e arritshmërisë dhe maturës. Kemi një progres të tekstet mësimore janë duke u rishikuar dhe tash është një Këshill Shtetëror i Maturës i cili do t’i marrë hapat në vazhdim. Nxënësit do t’i kthehen mësimit dhe do të normalizohet gjithçka”, deklaroi Likaj./EO