Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shton se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin
Lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se shteti i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës, ka reaguar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai ka thënë se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shton se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin.
Stano ka potencuar se ky vendim i takon vendeve anëtare e jo politikanëve të Kosovës.
“Kur BE-ja paraqiti masat kundër Kosovës, shkaku i krizave, vendimeve të njëanshme eskalimet në raport me Serbinë, Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të kthyeshme. Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, e përsëris kur vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Pra, kur vendet anëtare vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Dhe kjo nuk ka ndodhur deri tani, vendet anëtare vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme”, tha ai në një konferencë për media.
Stano rikujton se masat janë ende në fuqi.
“I kemi parë zgjedhjet në katër komunat si një prej elementeve që dërguan në vendosjen e masave, por mbetet te vendet anëtare, siç edhe thuhet në Konkluzat e Këshillit të Punëve të Përgjithshme nga dhjetori i vitit të kaluar. U mbetet vendeve anëtare të rivlerësojnë situatën dhe më pas me institucionet evropiane të vendosin nëse duhet hequr masat ose jo. Mund vetëm të konfirmoj se diskutimet ende po vazhdojnë dhe rikujtoj se masat nuk janë hequr”.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Kurti tha se javën e kaluar BE-ja miratoi Planin e Rritjes ekonomike – në vlerë prej 6 miliardë eurosh – për Ballkanin Perëndimor, i cili një ndër synimet ka edhe përshpejtimin e anëtarësimit të rajonit në bllok.
“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian më 2 maj.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).
Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.