Komiteti për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike ka rekomanduar masat e reja anti-COVID. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se do ketë rishikim të masave por masat do jenë në proporcion me nevojat për mbajtje të shkollave hapur dhe ekonominë hapur.
“Natyrisht qe do ketë rishikim të masave, ato do të jenë në proporcion me zhvillimet dhe përhapjen e COVID-it edhe do të jenë në balancë me nevojat për zhvillimin e mbajtjes së shkollave dhe ekonomisë hapur”, tha ai.
I pyetur për masat, Latifi tha se është e mundshme që nga ora 22:00 të mbyllet gastronomia, por nuk dha më shumë detaje. Latifi u shpreh se rekomandimet për rishikim të masave do i dërgojnë sot apo nesër në mëngjes në qeveri.
“Është shume e mundshme që lokalet të mbyllen nga ora 22:00 por ketë do e vendosim bashkërisht. Këtë do e dërgojmë në qeveri sot pasdite apo nesër ne mëngjes”, tha ai.
Latifi ka thënë se qytetarët duhet të vaksinohen ndërsa hodhi poshtë pretendimet se ka vaksina me afat të skaduar.