Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sekryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell është duke finalizuar raportin rreth hapave që ka ndërmarrë Kosova për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja.
Stano këtë përgjigje e dha pas pyetjes se a e ka dërguar përfaqësuesi i lartë i BE-së në vendet anëtare raportin dhe se a mund të pritet ndonjë lajm përpara zgjedhjeve evropiane të javës së ardhshme.
“Vetëm një fjali. Raporti është ende duke u finalizuar”, tha Stano.
Sipas tij çdo gjë që ndodh në terren që ka ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në depërshkallëzim do të merret parasysh dhe do të përfshihet në raport.
“Po sigurisht, dua të them se masat u futën si përgjigje ndaj hapave të njëanshëm të pakoordinuar që çojnë në më shumë përshkallëzim dhe nuk ndihmojnë depërshkallëzimin. Ato u prezantuan me qëllim që të motivojnë autoritetet e Kosovës që të punojnë në depërshkallëzim. Pra, sigurisht, çdo gjë që po ndodh në terren që ka një ndikim negativ në përpjekjet që çojnë në depërshkallëzi po merret parasysh dhe përfshihet në raport”, tha Stano.
Së fundi më 20 maj, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në veri të Kosovës, që ka rezultuar me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.