Save the Children konfirmoi sot vdekjen e dy prej anëtarëve të stafit të saj, të cilët ishin raportuar të zhdukur pasi mbetjet e djegura të më shumë se 30 njerëzve u gjetën në Mianmarin lindor.
“Me pikëllim të thellë po konfirmojmë sot se dy anëtarë të stafit të Save the Children ishin mes të paktën 35 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët u vranë të premten më 24 dhjetor në një sulm nga ushtria e Mianmarit në shtetin Kayah” tha organizata në një deklaratë.
Të shtunën, në mediat sociale u shfaqën disa imazhe ku shiheshin dy kamionë të djegur dhe një makinë në një autostradë në qytezën Hpruso në shtetin lindor Kayah, me mbetjet e djegura të trupave brenda.
Luftëtarët lokalë kundër juntës dhe një grup monitorues akuzuan trupat e juntës për kryerjen e sulmit pas përleshjeve me disidentët në zonë.
Dy burrat kishin qenë “duke punuar në një përgjigje humanitare në një komunitet aty pranë kur u kapën nga sulmi”, tha organizata.
“Ushtria i detyroi njerëzit të dilnin nga makinat e tyre, arrestuan disa, vranë shumë prej tyre dhe dogjën trupat”.
Ushtria e Mianmarit i ka mohuar pretendimet.
Myanmar ka qenë në kaos që nga grushti i shtetit të shkurtit, me më shumë se 1,300 njerëz të vrarë./UBTNews/