Aktori Daniel Stern, i njohur për rolin e Marv në dyshen ikonike “Wet Bandits”, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet që shënon 35-vjetorin e filmit “Home Alone”, pavarësisht popullaritetit të jashtëzakonshëm të filmit.
Stern shpjegoi se jeton një jetë më të qetë, të përqendruar te arti dhe ferma e tij, duke u kthyer, siç thotë, në një “djalë të vërtetë të shtëpisë”.
“Nuk do të largohem nga ferma ime,” tha aktori me humor.

Ai shtoi: “Nuk është mungesë respekti ndaj filmit. Thjesht… një telefonatë, një Zoom, jam këtu. Por jam bërë paksa shtëpiak.”
Në “Home Alone”, Stern portretizon Marv-in, hajdutin e pafat që me partnerin e tij Harry të luajtur nga Joe Pesci përpiqet të grabisë shtëpitë e zonës së Chicagos. Përpjekja e tyre për të hyrë me forcë në shtëpinë e Kevin McCallister përfundon në një seri situatash komike që e bënë filmin një klasik të festave.
Aktori 68-vjeçar la jetën e Hollywood-it shumë vite më parë dhe u zhvendos në një fermë në Kaliforni.
Edhe pse i distancuar nga industria, Stern e di se “Home Alone” vazhdon të mbetet i dashur nga audiencat, më shumë se tre dekada pas premierës së tij më 1990. Ai thotë se ndihet i lumtur që mund ta vëzhgojë suksesin e tij nga një kënd më i qetë i jetës. /A.Z/UBT News/
