Ideatorja e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha, ka thënë se marshi i djeshëm në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, ishte madhështor. Sipas saj, dje Kosova u bashkua për historinë e saj.
“Të gjitha rrugët dje çuan në Prishtinë. Dje Kosova u bashkua për historinë e saj. Dje ishte një ditë madhështore. Na kishte marrë malli me i pa krejt bashkë. Por krejt kjo do të ishte e pamundur pa vullnetarët dhe policinë që u kujdesen për rendin dhe ligjin. Maturia dhe qytetaria e djeshme ishte për tu admiruar”, ka thënë ajo.
Edhe Ismail Tasholli ka falënderuar familjarët e çlirimtarëve.
“Ky ishte marshi ynë i dinjitetit. E Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të jetë bashkë”, tha ai.
Ndryshe, sot kur ka nisur gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, shqiptarë nga vise të ndryshme të botës kanë protestuar në mënyrë paqësore në mbështetje të tyre.