Ushtria amerikane negocioi një marrëveshje të fshehtë me talebanët, sipas të cilës anëtarët e grupit militant shoqëruan grupet amerikane në portat e aeroportit të Kabulit, të cilët kërkonin të iknin nga Afganistani, thanë dy zyrtarë të mbrojtjes për CNN.
Një nga zyrtarët gjithashtu zbuloi se forcat speciale të operacioneve amerikane ngritën një “portë sekrete” në aeroport dhe krijuan “qendra thirrjeje” për të udhëhequr amerikanët për procesin e evakuimit, transmeton UBT News.
Dy zyrtarët e mbrojtjes amerikane thanë se amerikanët ishin njoftuar të mblidheshin në “pikat e grumbullimit” të paracaktuar pranë aeroportit, ku talebanët do të kontrollonin kredencialet e tyre dhe do t’i çonin në një distancë të shkurtër në një portë të drejtuar nga forcat amerikane që ishin pranë për t’i lejuar ata brenda mes turmave të mëdha afgane që kërkojnë të ikin.
Trupat amerikane ishin në gjendje të shihnin amerikanët të afroheshin me shoqëruesit e tyre talebanë ndërsa përparonin nëpër turmat, me sa duket të gatshëm për të ndërhyrë në rast se ndodh ndonjë gjë.
Dy zyrtarët e mbrojtjes amerikane folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve, të cilat nuk janë zbuluar deri më tani, sepse SHBA ishte e shqetësuar për reagimin e talebanëve ndaj çdo publiciteti, si dhe kërcënimin e sulmeve nga ISIS-K nëse operatorët e saj kishin kuptuar se amerikanët po shoqëroheshin në grupe, thanë zyrtarët.
Dega e ISIS, mori përgjegjësinë për një sulm vetëvrasës në portën e aeroportit të Kabulit javën e kaluar që vrau 13 pjesëtarë të shërbimit amerikan dhe më shumë se 170 afganë, përcjell UBT News.
SHBA ka pasur kontakte ushtarake dhe diplomatike me talebanët për vite me radhë përmes bisedimeve politike dhe përpjekjeve të dekonfliktit, por aranzhimi i fshehtë i evakuimit midis grupit militant dhe ushtrisë amerikane pasqyron një nivel të paparë koordinimi taktik.
Ndërsa nuk dihet nëse ka ndonjë lidhje, drejtori i CIA -s William Burns bëri një vizitë shumë të pazakontë javën e kaluar në Kabul, ku ai u takua me udhëheqësin taleban Abdul Ghani Baradar ndërsa administrata e Biden po përpiqej që operacionet e transportit ajror të zhvilloheshin pa probleme.
Gjatë evakuimit, zyrtarët e administratës Biden theksuan se talebanët po bashkëpunonin dhe zyrtarë të lartë theksuan vazhdimisht se grupi militant ishte angazhuar të siguronte “kalim të sigurt” për amerikanët.
Misionet e përcjelljes talebane ndodhën “disa herë në ditë”, sipas njërit prej zyrtarëve.
Një nga pikat kryesore të grumbullimit ishte një ndërtesë e Ministrisë së Brendshme, jashtë portave të aeroportit, ku forcat amerikane aty pranë ishin në gjendje të vëzhgonin afrimin e amerikanëve. Grupet amerikane u njoftuan nga mesazhe se ku të mblidheshin./UBTNews