Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq me rastin e dakordimit mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel.
“Bisedova sot me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurtin për t’i përgëzuar ata mbi arritjen e marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të ketë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët”, shkroi Borrell në Twitter.
Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia u dakorduan mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë nga viti 2013.
Kryenegociatori Besnik Bislimi tha se kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga 1999.
Nga 1999-2017, borxhin për veriun e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në veri paguhet nga Qeveria e Kosovës.