Ka nisur me tensione edhe seanca plenare e kësaj të enjte në Shqipëri. Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë sot marrëveshjen me Italinë për emigracionin, amnistinë penale, si dhe ndryshimet ligjore të ligjit për zonat e mbrojtura.
Gjatë ditës është zyrtarizuar në faqen e Kuvendit, rendi i ditës i seancës plenare. Sipas shkresës së firmosur nga Kryetarja Lindita Nikolla, pikë e parë e diskutimeve do të jetë Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ne lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore CEEPUS IV”.
Pika tjetër është Projektligji “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”. Kjo marrëveshje kaloi edhe filtrin e Gjykatës Kushtetuese pas kundërshtive të opozitës.