Njëra prej 16 pikave të marrëveshjes së Uashingtonit të arritur një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator, është në proces të zbatimit nga ana e Qeverisë Kurti për ndërtimin e “autostradës së paqes”.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se sa i përket marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka hyrë në obligime për ndërtimin e autostradës Besi-Merdar, e që sipas tij pritet të nis së ndërtuari në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit dhe ‘Autostradës së paqes’, Kosova ka hyrë në obligime për ta realizuar rrugën Besi-Merdar. Natyrisht që ky proces për shkaqe financiare mund të zvarritet, por është proces që do të përfundojë”.
Ai shtoi se gjatë pranverës, do të kenë mundësi të mira për fillimin e autostradës në fjalë.
Këto komente ministri Aliu i bëri në konferencën për media ku akuzoi ish-Qeverinë Haradinaj për parregullsi në procesin e shpronësimit të pronave përgjatë rrugës Kijevë-Zahaq.
Ministri Aliu ka thënë se procedurat e shpronësimit kanë ndodhur përtej nevojave të projektit. Derisa theksoi se borxhi i shtetit lidhur me shpronësimet është 182 milionë euro.
Për vonesën e ndërtimit dhe procesin e ngadaltë të rrugës Podujevë-Prishtinë, ai shtoi se edhe ky projekt është në vështirësi të realizimit si pasojë e shpronësimeve.
Ndërkohë ministri i Financave Hekuran Murati, gjatë ditës së mërkurë ka dërguar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal lidhur me procesin e shpronësimeve për projektin e ndërtimit të rrugës nacionale Prishtinë – Pejë, përkatësisht segmentin Kijevë – Klinë – Zahaq, për të cilën raporti i auditimit ka gjetur një shpërputhje prej mbi 12 milionë euro.