Asnjë detaj nuk e ka dhënë Prokuroria e Shtetit për një denoncim që Albin Kurti si Kryeministër i kishte bërë ish-Kryeministrit Hashim Thaçi për një letër që i kishte dërguar udhëheqësit të NATO-s se ushtarët e Kosovës nuk do të shkonin në veri pa lejen e KFOR-it.
“Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe në Prokurorinë Speciale se cilat veprime janë ndërmarrë pas denoncimit të Kurtit për letrën e Thaçit. Mirëpo, as Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe as Prokuroria Speciale nuk kanë kthyer përgjigje.
Denoncimi i Kurtit ndaj Thaçit ishte bërë më 26 shkurt të vitit 2020, në kohën kur kishte marrë mandatin e parë si Shef i Qeverisë.
“Kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi”, thuhet në komunikatën e Qeverisë ku përmendet Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi.
Ndërkohë, Albin Kurti, që ka rimarrë pozitën e Kryeministrit në mars të këtij viti, përsëri e ka hapur temën e letrës së Thaçit dërguar Sekretarit të NATO-s. Ka thënë se këtë lëndë e ka përcjellë në Prokurori dhe po pret përgjigje.
Letra e nënshkruar nga Thaçi në cilësinë e Kryeministrit në prill të vitit 2013 ishte një zotim me të cilin Thaçi e siguronte Sekretarin e NATO-s se asnjë veprim i Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk do të ndërmerrej në Veri të Kosovës pa lejen e KFOR-it.
Të enjten, në seancën e Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshje e Thaçit me NATO-n është e dëmshme.
“Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave që ju e përmendet ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020″, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se po pret përgjigje nga Prokuroria me denoncimin që ka bërë më 2020.
“…Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-së do të vazhdojnë që të thellohen”, ka deklaruar shefi i Qeverisë.
Prej përfundimit të luftës, Kosova asnjëherë s’ka pasur kontroll të plotë në pjesën veriore të Kosovës dhe as pas pavarësisë më 2008. Ushtria e Kosovës nuk ka shkelur në këtë pjesë të Kosovës derisa trupat e KFOR-it dhe Policia e Kosovës janë prezentë atje.
Më 2011 ishte zhvilluar një aksion i Policisë për vendosjen e kontrollit në Veri ku kishte mbetur i vrarë një polic derisa ende nuk janë dënuar autorët e vrasjes.