UBT News

Mark Sanchez në telashe me ligjin, akuzohet për sulm të dhunshëm

Analisti i njohur i Fox Sports NFL, Mark Sanchez, është akuzuar për një vepër penale pas një përleshjeje të dhunshme që ndodhi gjatë fundjavës në Indianapolis, kanë bërë të ditur autoritetet.

Sipas policisë, Sanchez, 38 vjeç, fillimisht u përball me tre akuza — sulm me dëmtime, hyrje e paligjshme në një automjet dhe dehje publike.

Ai u arrestua në një spital lokal, ku po trajtohej për plagë me thikë, disa orë pas një përleshjeje me një shofer kamioni 69-vjeçar në një rrugicë të qendrës së qytetit.

Megjithatë, të hënën, akuza për sulm u riklasifikua si vepër penale, ka konfirmuar shefi i policisë së Indianapolis, Chris Bailey.

“Pavarësisht kush je, çfarë bën apo nga vjen — nëse vjen në qytetin tonë dhe shkakton dhunë, do të mbahesh përgjegjës,” tha Bailey në një konferencë për shtyp më 6 tetor.

Sipas dokumenteve të gjykatës të siguruara nga TMZ, shoferi i kamionit i cili ndodhet në spital me lëndime serioze — ka deklaruar se e ka therur Sanchezin në vetëmbrojtje. Incidenti ndodhi pak para mesnatës, kur Sanchez iu afrua derës së një kamioni të parkuar midis hoteleve Westin dhe Marriott dhe filloi të fliste me shoferin.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë regjistruar momentet para përleshjes, të cilat tashmë po hetohen nga autoritetet. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version