Këngëtarja amerikane Mariah Carey po planifikon rikthimin e turneut të saj të famshëm të Krishtlindjeve në Evropë për herë të parë pas tetë vitesh, ka raportuar “The Sun”.
Sipas burimeve pranë artistes, turneu pritet të përfshijë koncerte në Londër dhe Manchester, ndërsa njoftimi zyrtar pritet të bëhet së shpejti.
Carey ka mbajtur për disa vite koncerte festive kryesisht në Shtetet e Bashkuara, ndërsa fansat evropianë nuk e kanë parë në një turne të tillë që nga viti 2018.
Krahas këngëve të saj ikonike të Krishtlindjeve, këngëtarja 56-vjeçare pritet të sjellë edhe materiale të reja muzikore. Ajo ka bërë të ditur se është rikthyer në studio për regjistrime të reja dhe se është e emocionuar për publikimin e tyre.
Ndërkohë, Carey po përgatit edhe projekte të tjera, përfshirë publikimin e mundshëm të albumit të papublikuar “Someone’s Ugly Daughter” dhe një ribotim special për 25-vjetorin e filmit dhe albumit “Glitter”.
Edhe pse filmi “Glitter” nuk pati sukses në kinema në vitin 2001, kolona zanore e tij ndër vite ka fituar status kult dhe është vlerësuar nga fansat e këngëtares./A.K/
