Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Maqedoninë e Veriut ka nisur një inspektim të të gjitha dërgesave të ujit burimor të importuar nga Kosova, pas zbulimit të bakterit koliform në një mostër uji nga Kosova. Informacion është raportuar nga Shërbimi maqedonas i Radios Evropa e Lirë.
Disa media në Maqedoninë e Veriut kanë publikuar vendimin e agjencisë, sipas të cilit bëhet fjalë për ujin e markës “Rugove”. Pronari i kompanisë Rugova, Visar Kelmendi, ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë se shitjet e ujit të markës Rugove në Maqedoninë e Veriut po vazhdojnë, ndërsa ka sqaruar se analizat laboratorike të mëpasshme nuk kanë treguar asnjë problem me cilësinë e ujit.
Kelmendi ka shpjeguar se problemi është shfaqur për shkak të një analize të parë të papërshtatshme, që kishte konstatuar praninë e baktereve koliform, por pas analizave të mëtejshme në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe në një shtet të tretë, u konfirmua se uji është i sigurt për përdorim. Ai shtoi se uji kontrollohet rregullisht nga laboratori i brendshëm dhe certifikohet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë.
Në një reagim të lëshuar gjatë ditës, Korporata Rugove theksoi se mostra që u analizua ishte pjesë e procedurës standarde të kontrollit kufitar dhe se pas analizës së dytë u konfirmua se uji është i pastër dhe i pijshëm. Ata theksuan se çdo interpretim që vë në dyshim cilësinë e ujit është i pabazuar.
Përkundër kësaj, prania e baktereve koliform në ujë të pijshëm mund të tregojë për mundësinë e pranisë së patogjenëve të cilët mund të shkaktojnë sëmundje. Sipas Departamentit të Shëndetësisë i Shtetit të Uashingtonit, kur bakteri koliform gjendet në ujë, operatorët e sistemit të ujit duhet të identifikojnë burimin e ndotjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Shkup ka njoftuar se do të marrin mostra nga çdo dërgesë e ujit burimor dhe pijeve joalkoolike nga Kosova për t’i testuar për mikroorganizma, në përputhje me rregullat për kërkesat mikrobiologjike për ushqim.
Përveç kësaj, Maqedonia e Veriut ka rritur kontrollin edhe për frutat dhe perimet e importuara nga të gjitha vendet, për të siguruar që këto produkte të jenë të sigurta për konsum dhe të mos përmbajnë mbetje pesticidesh.
Agjencia ka theksuar se produktet që nuk do të kalojnë kontrollet e sigurisë nuk do të lejohen të shiten në treg./UBTNews/