Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe koordinuesja e përhershme e Kombeve të Bashkuara në vend, Rita Kolumbia, kanë nënshkruar sot Kornizën e re të bashkëpunimit për periudhën 2026 – 2030.
Ky dokument strategjik kyç do të udhëheqë punën e të gjitha agjencive të KB-së në Maqedoninë e Veriut gjatë pesë viteve të ardhshme, me fokus në katër prioritete kryesore, shkruan Zhurnal.mk.
MPJ dhe TJ bëri të ditur se Korniza për bashkëpunim është në përputhje me bashkëpunimin e deritanishëm mes Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë, duke shërbyer si bazë për partneritete më të afërta mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Dokumenti lidhet gjithashtu me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2024 – 2044, procesin e integrimit evropian dhe Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.
“Marrëveshja e re është rezultat i vizionit tonë të përbashkët me Qeverinë, i formuar përmes konsultimeve me shoqërinë civile, komunitetin akademik dhe qytetarët. Katër prioritetet e dakorduara janë të lidhura mes veti dhe të dizajnuara për të mbështetur njëra-tjetrën. Ato janë të harmonizuara me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe pasqyrojnë angazhimin tonë të përbashkët për progres të qëndrueshëm, pa lënë askënd pas. KB do të punojë krah për krah me popullin e Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për të gjithë,” deklaroi Rita Kolumbia, koordinuese e përhershme e Kombeve të Bashkuara.
Në total, 15 agjenci, programe dhe fonde të Kombeve të Bashkuara, mes tyre FAO, ILO, IOM, ITU, UNDP, UNECE, UNEP, UNFPA, UNHCR, UNICEF, UNIDO, UNOPS, UN Women dhe WHO, e kanë nënshkruar këtë kornizë, duke u zotuar të mbështesin dhe kontribuojnë në arritjen e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm në vend gjatë periudhës së ardhshme./D.B/UBTnews/Zhurnal.mk