UBT News

Maqedoni: Rregulla të reja në qendra spitalore si pasojë e përhapjes së gripit

Për të parandaluar përhapjen e gripit në mjediset spitalore, janë miratuar masa të reja në Maqedoni, ku ndalohet vizita e pacientëve të shtruar në spitale. Këto masa vijnë si rekomandim i Komisionit për Sëmundje Infektive dhe janë të detyrueshme për institucionet shëndetësore. Pjesë e masave janë përdorimi i mbrojtjes personale, si mbajtja e maskave, dezinfektimi i duarve dhe mbajtja e distancës fizike aty ku është e mundur.

Ministria e Shëndetësisë ka obliguar institucionet shëndetësore që të zbatojnë këto masa për të mbrojtur pacientët dhe punonjësit shëndetësorë nga rreziku i përhapjes së gripit, pasi të dhënat epidemiologjike tregojnë një kulm të gripit sezonal.

Nga 3 deri më 9 shkurt 2025, janë raportuar 2.880 raste të sëmundjeve të ngjashme me gripin, që është një rënie prej 5,1% krahasuar me javën e kaluar. Më së shumti janë prekur individët e moshës 15-64 vjeç, ndërsa fëmijët e moshës 0-4 vjeç kanë pasur incidencën më të lartë. Shumica e rasteve janë regjistruar në Shkup, Strumicë dhe Manastir.

Komisioni për Sëmundje Infektive vazhdon të monitorojë situatën epidemiologjike dhe masat do të qëndrojnë në fuqi për të parandaluar përhapjen e gripit./UBTNews/

Exit mobile version