Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka reaguar lidhur me vendimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Me këtë rast Maqedonci tha se me këtë vendim Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, gjë që sipas tij do të ndikojë në stabilitetin e Ballkanit.
“Nga sot, me vendim të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar të NATO-s. Pra nga tani, Kosova do të ketë të drejtë propozimi e komentimi të çdo procesi apo dokumenti që trajtohet nga Asambleja e NATO-s”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria e Mbrojtjes.
Kosova tashmë është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kjo pasi Asambleja me shumicë votash ka miratuar statusin e Kuvendit të Kosovës.