Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Kosova synon të jetë pjesë e NATO-s dhe e strukturave tjera euroatlantike, bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj.
Maqedonci, pas takimit me ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu, ka thënë se të dyja vendet kanë nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerim në industrinë ushtarake.
Ai ka theksuar se e vlerëson lartë vizitën e parë të homologut të tij në Kosovë.
“Pata nderin dhe kënaqësinë që të pres në takim për herë të parë ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes. Kemi bashkëpunuar mjaftë mirë por kemi vlerësuar që ka nevojë për thellim të bashkëpunimit dhe zgjerimin e tij në industrinë ushtarake që po shihet si nevojë. Këtu dua të bëjë të qartë të gjithë atyre akterëve që ne me ushtrinë shqiptare jemi dhe kemi bashkëpunuar për t’u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që synon të kërcënojë trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë”.
“Si dy vende demokratike ne po vazhdojmë të kontribuojmë në luftën globale kundër rreziqeve që rrezikojnë dhe kërcënojnë sigurinë globale siç është rasti i luftës në Ukrainë ku dy vendet tona janë pjesëmarrëse aktive të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës dhe po ndihmojmë popullin e Ukrainës në luftën për liri. Jemi pjesë e përbashkët e shumë iniciativave regjionale dhe synimi ynë do të jetë që bashkë me Shqipërinë dhe mbështetjen e saj të jemi në të ardhmen e afërt pjesë e NATO-s dhe pjesë e strukturave tjera euroatlantike. Faleminderit ministrit Vengu për vizitën dhe respektin që na keni bërë duke zhvilluar vizitën tuaj të parë në Kosovë”, ka thënë Maqedonci.