Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga zëvendësministri Shemsi Syla, priti sot në takim ambasadorin e ri të Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Petrit Malaj, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në vendin tonë, marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy shteteve, por edhe mundësitë e thellimit e të konkretizimit të mëtejmë të tyre në fushën e mbrojtjes.
Duke i uruar Malaj detyrën e re në krye të misionit diplomatik të Shqipërisë në Prishtinë, ministri Maqedonci vlerësoi se emërimi i tij në detyrën e ambasadorit do t’i japë një shtysë të re këtij bashkëpunimi i cili paraqet interes reciprok të të dyja vendeve.
Sipas njoftimit, pasi e falënderoi ambasadorin për mbështetjen institucionale të deritanishme, ministri Maqedonci tha se intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve përveç aspektit diplomatik, është obligim ndaj kombit.
Nga ana e tij, ambasadori Malaj konfirmoi se me përkushtim do të angazhohet për të forcuar bashkëpunimin midis Tiranës dhe Prishtinës. Mision ky fisnik i çdo shqiptari.