UBT News

​Maqedonci e Kingji diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit ushtarak Kosovë-Shqipëri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën sot në takim shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (FARSH), gjeneral major Arben Kingji, me të cilin diskutuan mbi situatën aktuale të sigurisë dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha ushtarake.

Me këtë rast, ministri Maqedonci shprehu mirënjohje të thellë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e veçantë të tyre në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, veçanërisht në fushën e arsimimit dhe stërvitjes.

Gjithashtu ai ritheksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka mbështetja nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe FARSH, si shtet anëtar i NATO-s, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi.

Ndërsa, gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për përpjekjet e pashtershme të Shqipërisë për mbështetjen e dhënë për zhvillim dhe avancim të mëtejmë të FSK-së dhe në përafrimin e ushtrive të të dyja vendeve.

Shefi i FARSH-it, gjeneral Kingji në këtë takim ofroi mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në iniciativat rajonale.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që të vazhdohet ky bashkëpunim i ngushtë për të garantuar mbrojtjen e interesave kombëtare.

Exit mobile version