Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl ka mirëpritur hapin e radhës nga Këshilli i Bashkimit Evropian lidhur me liberalizmin e vizave për Kosovën. Sipas tij, kjo është e vonuar por ka arsye për të qenë të lumtur.
Ai ka thënë se duhet kapërcyer qasje të tilla ideologjike ku duhet pritur gjatë për disa vendime që janë në të mirë të jetës së njerëzve dhe nuk e dëmtojnë askënd.
“Kjo është shumë e vonuar. Kemi arsye për të qenë të lumtur. Por ne duhet të pyesim vetën pse disa vendime që e bëjnë jetën më të mirë për shumë njerëz, dhe nuk do të dëmtonin askënd, ndonjëherë zgjasin kaq shumë në BE. Duhet të kapërcejmë qasje të tilla ideologjike. Le t’i shërbejmë Evropës dhe evropianëve”, ka shkruar Mandl në Twitter.
Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë miratuar vendimin për liberalizmin e vizave për Kosovën.
Vendimi i miratuar në Këshillin e Punëve të Brendshme në Bruksel është “në lexim të parë” dhe është marrë pa diskutime.
Ndërsa rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe në fund të nënshkruhen dhe botohen në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian.
Lëvizja e lirë, në zonën Shengen, për qytetarët e Kosovës pritet të fillojë jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.