Bashkëkryesuesi i Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE-Kosovë, euro-deputeti austriak, Lukas Mandl, ka bërë thirrje për heqjen masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Ai ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, derisa ka shtuar se dialogu ka kuptim vetëm kur mbahet në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Në takimin e 11-të të komisionit parlamentar për MSA-në, që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ai tha se Parlamenti Evropian mbron qasjen e balancuar në dialog, duke kapërcyer ngërçin aktual.
“Shfrytëzoj këtë rast edhe për të ritheksuar qëndrimin e Parlamentit Evropian për mbështetjen e tij të fuqishme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas mendimit tim, dialogu Kosovë-Serbi ka kuptim vetëm kur mbahet në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Më tej dëshiroj të ritheksoj thirrjen e Parlamentit Evropian për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, si dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Nuk duhet të ketë vonesa të mëtejshme dhe normalizimi duhet të bazohet në parimin e njohjes reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Më tej inkurajoj të gjitha palët e interesuara që dialogun e tyre ta bëjnë më të orientuar drejt qytetarëve. Parlamenti Evropian shpreh keqardhje për masat kufizuese të vendosura nga Këshilli kundër Kosovës dhe bën thirrje për heqjen e tyre. Parlamenti Evropian mbron qasjen e balancuar ndaj ndërmjetësimit ndërmjet palëve për të kapërcyer ngërçin aktual, duke kujtuar se dështimi i dialogut të lehtësuar nga BE do të kishte pasoja edhe për rolin e BE-së si një lojtar i besueshëm i politikës së jashtme”, tha ai.
Në anën tjetër, bashkëkryesuesja tjetër e Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE – Kosovë, deputetja Mimoza Kusari-Lila, vlerësoi rolin mbështetës të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës.
“Është e domosdoshme të njohim dhe shprehim mirënjohjen tonë të thellë për mbështetjen dhe përkushtimin tuaj të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës dhe promovimit të demokracive dhe stabilitetit në rajonin tonë. Parlamenti Evropian ka qenë një aleat i qëndrueshëm i shpejtë, gjë që është ilustruar përmes veprimeve dhe rezolutave të tij vendimtare, që kanë kontribuar ndjeshëm në ndjekjen tonë të drejtësisë, demokracisë dhe stabilitetit rajonal. Rezoluta e Parlamentit, veçanërisht në përgjigje të sulmit terrorist në Banjska, ka nënvizuar rëndësinë kritike të llogaridhënies dhe ndjekjes së drejtësisë. Duke dënuar qartë sulmin terrorist të mbështetur nga Serbia dhe duke kërkuar bashkëpunim në hetimin, Parlamenti Evropian ka dërguar një mesazh të fortë duke mbrojtur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. E vlerësojmë thirrjen tuaj për heqjen e masave për Kosovën, pasi e konsiderojmë jo vetëm mesazh të rëndësishëm, por të drejtë po ashtu”, tha ajo.
Ndërkaq, shefja e sektorit politik, ekonomik për integrim evropian, në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian, AnnaCarin Platon, nënvizoi nevojën e reformave në Kosovë dhe rajon për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së.
“Marrëveshja e Themelimit dhe Asociimit është themeli i marrëdhënieve me BE-në Kosovë. Puna ndër parlamentare është një element thelbësor i këtij procesi. Në dhjetor të vitit 2023, Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor riafirmoj perspektivën e rajoneve në BE. Ai gjithashtu theksoi nevojën për reforma të qëndrueshme nga ana e partnerëve tanë të mbështetur nga vlerat dhe parimet e BE-së. Më lejoni të them një fjalë për propozimin e Komisionit për një plan të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ai ka një objektiv të dyfishtë, nxit konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe në këtë mënyrë përshpejton edhe procesin e anëtarësimit. Është oferta jonë për rajonin dhe Kosovën”, tha ajo.