UBT News

​Mandatimi i Konjufcës, Osmani: Nuk kërkohet garanci, por gjasa për formimin e qeverisë së re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka bindur se ka gjasa për formimin e qeverisë së re. Sipas saj, në Kushtetutë dhe aktgjykimet e saj nuk kërkohet garanci se janë numrat nga mandatari i dytë për kryeministër, por gjasa për ta formuar qeverinë e re.

Osmani të martën ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër nga radhët e LVV-së, pas dështimit të liderit të kësaj partie, Albin Kurti, për ta formuar qeverinë në tentimin e parë më 26 tetor.

“Sa i përket garancive, siç e thashë, askund në Kushtetutë dhe askund në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim shumë të madh mes garancës dhe gjasave. Garanca jepet në Kuvend, prandaj edhe kërkohen vota aty, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më tepër kandidatë, atëherë detyrimi im është të shoh kush i ka nga ata gjasat më të mëdha. LVV me kandidatin Konjufca, me të cilin sapo përfundova takimin, kanë besim të plotë që mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo iu takon atyre. Ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem se kanë gjasa, dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha ajo në konferencë për media.

Në anën tjetër, Osmani tha se mandatimi i Konjufcës për kryeministër s’ka të bëjë me asnjë taktikë për shtyrje të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

“Nuk ka të bëjë kjo me asnjë taktizim vonesash dhe s’ka të bëjë me ndonjë preferencë për datën nga ana ime. Unë e kryej detyrimin kushtetues, sepse neni 95 pika 4 thotë se presidentja mandaton. Aktgjykimi i gjykatës thotë se duhet të ketë kandidat tjetër dhe s’mund të nxirret dekret për refuzim të kandidatit kur e ke propozimin mbi tavolinë. Pra, nuk ka asnjë preferencë të vetme nga ana ime për datën. Preferenca ime është që partitë politike të merren vesh rreth Planit të Rritjes, rreth buxhetit ose potencialisht zgjatjes buxhetore. Këto preferenca i kam, sepse këto janë në interes të Republikës së Kosovës dhe pastaj marrëveshjet e tilla mendoj se mund të përcaktojnë deri diku proceset që vijnë më pas, mirëpo kjo u takon partive politike në Kuvend”, shtoi ajo.

Osmani u pyet edhe mbi mundësinë nëse ajo do të japë dorëheqje nga posti i presidentes dhe të përfshihet në listën zgjedhore të LVV-së, por ajo tha se i siguron qytetarët se do ta përfundojë mandatin pesëvjeçar deri në prill të vitit 2026.

“Unë i garantoj qytetarët se do ta përfundoj mandatin. Më kanë zgjedhur për mandat pesëvjeçar dhe do të jem deri në ditën e fundit… Për rikandidim të kemi një Kuvend dhe një qeveri, pastaj i vjen radha presidentit ose presidentes”, përfundoi ajo./S.K/KP/

Exit mobile version