Ministrja e Arsimit të Kosovës, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe homologia e saj nga Shqipëria, Ogerta Manastirliu kanë marrë pjesë në Seminarin e XVII-të mbarëkombëtar me mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë.
Aty u tha se misioni i këtyre mësuesve kërkon angazhim dhe punë të palodhur në të gjitha nivelet.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se të gjithë mësuesit e mbledhur në këtë seminar janë përbashkuar me një qëllim madhor, e që është ruajtja dhe fuqizimi i gjuhës shqipe.
“Të dashur mësues tonë të diasporës jam vërtetë e emocionuar që ju shoh këtu, të gjithë së bashku të përbashkuar në qëllimin madhor, në ruajtjen dhe fuqizimin e gjuhës sonë të bukur shqipe. Në transmetimin e vlerave më të mëdha që kombi ynë ka, në përmbushje të një misioni historik që secili prej nesh si shqiptarë ka atë të identitetit tonë kombëtar gjuhës sonë të bukur shqipe….Prishtina nuk do të ishte kaq e bukur pikërisht në këtë ditë nëse prezenca juaj nuk do të na kishte motivuar ne kaq shumë bashkë me Arbërien si dy ministre të Arsimit që jo vetëm punojmë së bashku me ekipet tona për të fuqizuar sistemin arsimor, por që pjesë të misionit tonë të përbashkët kemi edhe mbështetjen e shkollave apo klasave shqipe kudo ku shqiptarët janë”, ka thënë ajo.
Sipas ministres Manastirliu, ky seminar ka mbledhur 150 mësues nga diaspora të cilët me shumë profesionalizëm po u mësojnë brezave të ri gjuhën shqipe.
“Sot jam e lumtur që kemi mbledhur 150 mësues të diasporës të cilët me shumë përkujdes, me shumë profesionalizëm, me shumë dashuri e me shumë përkushtim mësojnë gjuhën shqipe për tashmë breza dhe teksa vija për këtu nga Tirana mendoja se sa shumë sakrifica ju keni kaluar dhe se çfarë ju keni bërë se bashku në shoqatat ku aderoni, në lidhjet e mësuesve që keni krijuar dhe po krijohen rishtazi për të fuqizuar pikërisht atë mision të përbashkët që ne kemi dhe që është trashëgimia më e madhe që ne kemi që është gjuha jonë e bukur shqipe”, është shprehur ministrja Manastirliu.
Ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se një ndër vlerat e këtij seminari është si rezultat i punës së përbashkët mes dy ministrive të Arsimit, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Ministrja Nagavci ka thënë se duhet të gjenden mënyra të reja për ta kultivuar gjuhën shqipe tek brezat e ri në mërgatë.
“Rivënia në fokus e gjuhës amtare dhe gjetja e mënyrave të reja për të kultivuar atë tek brezi i ri i mërgatës janë elemente që jo gjithnjë vetëm duhet ti kemi, por vazhdojmë t’i kemi më shumë përkushtim në vëmendjen tonë, posaçërisht në vendet ku ju jetoni dhe veproni që shqipja të flitet aq shpesh sa do të duhej dhe do të kishim dëshirë që të flitej”, ka thënë ajo.
Seminari i Diasporës i cili i hapi punimet të enjten bashkon mësues të gjuhës shqipe nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës.