UBT News

‘Mallkimi i Drake’ godet edhe Jannik Sinner: 300 mijë dollarë të humbura

“Mallkimi i Drake” ka rënë sërish mbi botën e sportit, këtë herë me ‘viktimë’ Jannik Sinner. Tenisti italian, i cili synonte triumfin në US Open 2025, nuk ia doli të shpallej kampion, duke “djegur” edhe bastin gjigant të reperit kanadez.

Drake kishte vënë 300 mijë dollarë mbi fitoren e Sinner, por basti u kthye në një tjetër humbje të bujshme. Fansat e italianit ishin frikësuar që në momentin kur u bë publik lajmi, pasi historia ka treguar që artisti mbështet financiarisht një sportist, gjërat nuk shkojnë mirë.

Precedenti më i afërt ishte pikërisht një vit më parë, kur në finalen e US Open 2024 mes Sinner dhe Taylor Fritz, Drake kishte vendosur bast mbi tenistin amerikan. Atëherë ndodhi e kundërta: Sinner fitoi bindshëm dhe reperi humbi shifrën e majme të bastit.

Lista e humbjeve të Drake në botën e sportit është e gjatë. Ai ka humbur 355 mijë dollarë duke besuar se Mike Tyson do të mposhtte Jake Paul, ndërsa një tjetër parashikim i gabuar ndodhi më 2022, kur kombinoi fitore të Arsenalit dhe Barcelonës.

Në fund, triumfi i Real Madridit 3-1 i shkatërroi biletën e bastit. Kështu, “mallkimi i Drake” vazhdon të bëjë jehonë në botën e sportit, me Sinner-in si ‘viktimën’ më të fundit të tij.

Exit mobile version