UBT News

Maliqi: Personat me aftësi të kufizuara janë kategoria më e margjinalizuar në vend

“Të gjithë jemi njerëz, të gjithë jemi të barabartë”, është moto e organizatës Handikos në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Drejtori i Handikos-it, Afrim Maliqi tha se personat me aftësi të kufizuara janë kategoria më e margjinalizuar në vend.

“Edhe nuk ka shërbime të duhura shëndetësore, mungon mbështetja ekonomike e familjare. Mungojnë medikamentet dhe pajisjet e duhura të cilat personat me aftësi të kufizuara i përdorin në përditshmëri. Sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, vetëm 3 mijë e 600 fëmijë ndjekin mësimin në shkollat fillore dhe të mesme”, tha Maliqi.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se është e domosdoshme që kjo kategori të jetë e përfshirë në vendimmarrje.

“Ka rënie të cilësisë të shërbimeve, me theks të rehabilitimin fizikal. Mungesa e politikave qe ndikojnë në identifikimin e hershëm të aftësisë së kufizuar, çështja e kujdestarisë në ofrimin e mbështetjes pastaj ekipet e vlerësimit, janë krejt këto që neve na bëjnë sot me mendu që në angazhimin e deritanishëm nuk e kemi bërë mjaftueshëm”, tha Qelaj.

Asambleja e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1992 shpalli 3 dhjetorin Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqene të personave me aftësi të kufizuar.

Exit mobile version