Së fundmi gratë kanë shfaqur angazhim më të madh në politikën kosovare, kjo në pozita të larta udhëheqëse. Sipas profesoreshës së shkencave politike, Afërdita Maliqi, për dallim prej viteve të kaluara pozita e grave në politikë është përmirësuar.
“Sot kemi në Kuvend të Kosovës gra që janë zgjedhur me vota, domethënë nuk kanë hyrë në Kuvend dhe janë deputete me kod gjinore, por janë deputete pasiqë i kanë fituar votat barabartë me burrat”, deklaroi ajo për UBTNews.
Sipas Maliqit, më së miri hapësirën në pozita publike duhet ta krijojnë gratë për njëra-tjetrën.
“Nuk kemi një ligj që e rregullon çështjen e gruas se sa duhet të jetë e përfaqësuar në qeveri ose ne nivele lokale. Por unë mendoj që krijimi i hapësirës duhet të shtyhet nga gratë, pra gruaja duhet ta shtyejë gruan”, deklaroi ajo.
Teksa shtoi se shumë gra hezitojnë të marrin pozita publike për shkak të komenteve që ato marrin.
“Shumëherë kur je në publik, je pre e sulmeve, komenteve e linqimeve publike edhe ka nga ato që pavarësisht se janë shumë të zojat pritojnë mu marrë sepse duan një jetë më të qetë, nuk do me qenë pre e sulmeve ose pre e mesazheve”, shtoi ajo.
Ligji për barazi gjinore në Kosovë obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në pozita vendimmarrëse, ndërsa 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore.
Sistemin e kuotave në Kosovë për herë të parë e kishte aplikuar Misioni i Kombeve të Bashkuara në vendin tonë, UNMIK, në vitin 2000./UBTNews/
Realizoi: Fjolla Gashi