Mali njofton se e ka nën kontroll kryeqytetin Bamako pas sulmit me armë zjarri nga ana e kryengritësve në një shkollë trajnimi të xhandarmërisë dhe zona të tjera para agimit.
“Sot herët në mëngjes, një grup terroristësh u përpoqën të depërtojnë në shkollën e xhandarmërisë Faladie. Operacionet e pastrimit janë duke u zhvilluar”, njoftoi ushtria përmes një deklarate.
Ushtria u bëri thirrje banorëve që të largohen nga zona dhe të presin njoftimet tjera zyrtare.
Në njoftimin e ushtrisë bëhet e ditur se u sulmuan “disa pika të ndjeshme të kryeqytetit”, sikurse shkolla e xhandarmërisë. Ushtria ka larguar përgjegjësit e sulmit dhe u kërkoi civilëve që t’iu kthehen punëve të përditshme.
Shkolla e xhandarmërisë është në Faladie, një lagje në periferinë juglindore të Bamakos, pranë aeroportit kryesor ndërkombëtar./UBTNews/