Tri ditë pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi, Kuvendi i këtij shteti pritet të vendosë të hënën për shkarkimin e kryetarit të këtij institucioni, Aleksa Beçiq.
Beçiq është udhëheqës i Demokratëve, deputetët e të cilit subjekt politik kanë qenë kundër rrëzimit të Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.
Nismën për shkarkimin e Beçiqit e kanë nënshkruar 38 deputetë të opozitës nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila udhëhiqet nga presidenti aktual i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, nga dy parti të socialdemokratëve, nga Partia Boshnjake dhe nga Koalicioni Shqiptar “Njëzëri”.
Në shpjegim është thënë se Kuvendi, për shkak të mungesës së dialogut esencial, “nuk ka çuar në përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi”, sepse Beçiq, “funksionin e tij e ka kryer në interes të promovimit partiak dhe personal, e jo në interes të shtetit”.
Për shkarkimin e Beçiqit, opozita ka nevojë për mbështetjen e Lëvizjes Qytetare URA, e cila udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i Qeverisë tashmë të shkarkuar, Dritan Abazoviq.
Pjesa tjetër e shumicës parlamentare, 37 deputetë nga Fronti Demokratik pro-serb dhe disa parti më të vogla, kanë deklaruar se nuk do të votojnë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit.
Koalicioni prej tre anëtarësh – Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA – ka qeverisur Malin e Zi qysh në fund të vitit 2020.
Në zgjedhjet e gushtit të atij viti, këto parti kanë fituar një shumicë të ngushtë, duke rrëzuar Partinë Demokratike të Socialistëve, e cila ka qeverisur Malin e Zi për rreth 30 vjet.
Qeveria e Krivokapiqit, e cila është zgjedhur pas atyre zgjedhjeve, është shkarkuar të premten, më 4 shkurt, me votat e opozitës dhe të Lëvizjes Qytetare URA.
Prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë është iniciuar nga URA.
Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit, do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv.
Ai ka thënë se ka disa opsione për zgjidhjen e situatës, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.