Mali i Zi mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Rasko Konjevic. Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili ka përsëritur synimin e Kosovës për anëtarësim sa më shpejtë në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.
Ministri kosovar i Mbrojtjes i ka kërkuar homologut të tij malazez mbështetje që edhe Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut, iniciativë kjo e nisur në vitin 2003 nga atëkohë vendet aspirante për t’u anëtarësuar në NATO, si Shqipëria, Kroacia e Maqedonia e Veriut, e njohur si A-3, e që pesë vite më vonë iu bashkuan edhe Mali i Zi e Bosnja Hercegovina duke u shndërruar në iniciativën A-5, e që rrit ndërveprimin mes këtyre vendeve dhe adoptimin e standardeve të NATO-s nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve të bashkëpunimit të njësive respektive.
“Jemi të orientuar në anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO. Mali i Zi si shtet mik i yni duke vlerësuar angazhimin e Kosovës, sidomos Ministrisë së Mbrojtjes na mbështet në orientimin tonë, në iniciativa rajonale por edhe në orientimin tonë drejt anëtarësimit të plotë në NATO. Mali i Zi dhe ministri na ka ofruar mbështetje në procesin, por edhe realizimin e synimeve tona që kemi, edhe për anëtarësim në organizata rajonale, ju e dini që sivjet Mali i Zi është nikoqir i organizatës rajonale A-5, këtu kam kërkuar mbështetje që Kosova të jetë sa më shpejtë anëtare e plotë e A-5-shes. Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal janë jetike, sidomos për shtetet e Ballkanit, kjo është e ardhmja jonë, e ardhmja e përbashkët, euroatlantike, ashtu siç e kemi borxh vendet e rajonit të sinkronizohemi dhe koordinohemi drejt integrimit të plotë në misionin e vizionin e përbashkët euroatlantik”, ka thënë Mehaj.
Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Rasko Konjevic ka thënë se Mali i Zi do mbështesë Kosovën në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e nismave rajonale.
“Këto takime ishin edhe një mundësi për të shkëmbyer mendime për çështjet aktuale rajonale, unë ritheksova vendosmërinë e Malit të Zi se kudo që të mundet, Mali i Zi do ta mbështesë Republikën e Kosovës në aspiratën e saj për t’u bërë pjesë e disa nismave rajonale ose për të avancuar statusin e saj, kështu që ne besojmë se përmes këtij lloji të bashkëpunimit rajonal do të vendoset një bashkëpunim shtesë, do të thosha, politik dhe i sigurisë dhe të dërgohet një mesazh diku nga Mali i Zi, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, se cili është thelbi dhe çfarë do të thosha është një vizion i përbashkët, që është që ky rajon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian… Kudo që të jetë e mundur, Mali i Zi do të jetë në ndihmë, sepse ne duam të ndihmojmë Kosovën dhe vendet e tjera që ndajnë vizionin dhe vizioni i Malit të Zi është që përveç nga anëtarësimi në NATO do të jetë, sa më shpejt që është e mundshme anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian në kuptimin që të plotësojmë të gjitha standardet që duhen për të qenë pjesë e shoqërisë së vendeve të zhvilluara dhe demokratike”, ka thënë ai.
Një memorandum bashkëpunimi e kanë nënshkruar ministri i Mbrojtjes së Kosovës dhe ai i Malit të Zi, dokument ky i cili pritet të thellojë marrëdhëniet në mes të dy shteteve.
Ministri Armend Mehaj ka bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje do të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, që sipas tij, është i domosdoshëm në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit.
“Bashkëpunimi do të shtrihet në shkëmbimin e përvojave profesionale sa i përket kuadrove tona akademike, specialisitike, e deri te angazhimi në mbështetje reciproke me kapacitete operacionale në rast të emergjencave që është e domosdoshme për të dy shtetet por edhe në rajon. Thellimi i vazhdimit të këtij bashkëpunimi do të lehtësojë edhe efektivitetin që po ballafaqohemi, por edhe kërcënimet që janë njëjta për të dy shtetet por edhe rajonit, dhe rreziqet që na i prek mjedisin e sigurisë rajonale”, ka thënë Mehaj.
Mali i Zi, përpos pjesë e iniciativës A-5, prej qershorit të vitit 2017 është edhe pjesë e NATO-s.