UBT News

Malajzia do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Meta-s

Malajzia njoftoi të premten se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanisë Meta, për shkak të dështimit në heqjen e postimeve “të padëshirueshme”. Ky është vendimi më i fuqishëm që Malajzia ka marrë për të luftuar përmbajtje të tilla.

Zgjedhjet kombëtare të vitit të kaluar çuan në rritjen e tensioneve etnike dhe që nga ardhja në pushtet gjatë muajit nëntor, administrata e kryeministrit Anwar Ibrahim është zotuar të frenojë ato që i quan postime provokuese që prekin racën dhe fenë.

Sipas Komisionit malajzian për Komunikim dhe Multimedia, kohët e fundit, Facebook është vërshuar nga një vëllim i konsiderueshëm i përmbajtjeve të padëshiruara në lidhje me racën, anëtarët e familjes mbretërore, fenë, shpifjen, imitimin, lojërat e fatit në internet dhe reklamat e mashtrimit. Gjithashtu u tha se Meta ka dështuar të ndërmarrë veprime të mjaftueshme pavarësisht kërkesave të përsëritura të organit dhe se veprimet ligjore janë të nevojshme për të promovuar përgjegjësinë për sigurinë kibernetike dhe për të mbrojtur konsumatorët.

Ende nuk ka ndonjë reagim nga Meta./UBTNews/

Exit mobile version