UBT News

Makthi i talebanëve, luftëtarët e Panjshirit po stërviten kundër talebanëve

Forcat e grupeve rezistente në Afganistan janë zotuar të vazhdojnë luftën e tyre kundër talebanëve, pasi janë duke vazhduar stërvitjet e tyre në luginën Panjshir, një pikë strategjike që gjendet në veri të Kabulit.

Qindra luftëtarë që për asnjë moment nuk iu nënshtruan talebanëve që morën nën kontroll Kabulin, janë parë duke u stërvitur me pushkë të ndryshme automatike, transmeton Telegrafi.

Ata janë të veshur me rroba ushtarake dhe vazhdimisht marshojnë rrugëve malore të këtij rajoni. Forcat anti-talebane të njohura ndryshe si Aleanca Veriore, janë zotuar të luftojnë deri në frymën e fundit për t’i mbrojtur 170.000 banorë, shumica prej tyre Tajik që jetojnë në luginën Panjshir që shtrihet në malet Hindu Kush në veri të kryeqytetit afgan.

Intensifikimi i stërvitjeve po ndodh pasi talebanët janë zotuar se do të dërgojnë qindra luftëtarë për ta rrethuar Panjshirin.

Ky rajon konsiderohet bastioni i fundit i grupit që i lufton talebanët dhe udhëhiqet nga Ahmad Massoud, 32-vjeç, që u shkollua në Britani të Madhe dhe është i biri i legjendës që luftoi për liri nga talebanët.

Massoud u trajnua nga ushtria britanike në Sandhurst, dhe është zotuar se këmba e talebanit nuk do të shkel kurrë në rajonin ku ai jeton dhe vepron.

Ahmad Shah Massoud

Ishte vetëm 12-vjeç kur babai i tij Ahmad Shah Massoud i njohur si “Napoleoni afgan” dhe “luani i Panjshirit” u vra nga militantët e Osama Bin Ladenit të Al Qaedas – duke u prezantuar kinse si gazetarë të Al Jazeera – vetëm dy ditë para sulmet të 11 shtatorit.

Massoud ishte detyruar të largohet nga vendlindja, për të ndjekur mësimet në shkollën e mesme në Iran, ku më pas vazhdoi jetën në Sandhurst ku u diplomua në kolegjin King të Londrës.

Tani Massoud është zotuar se do të luftojë deri në frymën e fundit kundër talebanëve dhe të mbroj banorët e Panjshirit. Ai konsiderohet si makthi më i madh i talebanëve.

Exit mobile version