Pavarësisht se ka nisur regjistrimi i mjeteve të para elektrike, përdorimi i tyre në vendin tonë është tejet modest në raport me numrin e përgjithshëm të mjeteve me karburant. Të dhënat e fundit të disponueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se aktualisht në vendin tonë janë të regjistruara 1 160 makina elektrike, ndërkohë që nëse marrim parasysh numrin e përgjithshëm të automjeteve që qarkullojnë vetëm në Tiranë, ato përbëjnë 0.058% të totalit.https://tinyurl.com/y4tkrgmb
Aktualisht, DPSHTRR rimburson çdo tarifë të regjistrimit për herë të parë për mjetet elektrike. Bëhet fjalë për tarifat që paguhen aktualisht për kontrollin fizik, lejen e qarkullimit, targat standarde dhe certifikatën e pronësisë, me një vlerë totale prej 7 500 lekësh. Ndërkaq, sipas përllogaritjeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Transporti Rrugor, falë zerimit të tarifave fillestare vjetore për këto mjete, në total qytetarëve u janë kursyer 2.36 mln lekë.
Stimulimi për futjen e këtyre mjeteve është mirëpritur nga ekspertët e mjedisit, të cilët kanë thënë më herët për TV SCAN se politikat për uljen e ndotjes duhet të orientohen drejt këtij lloj transporti. Megjithatë, sipas tyre, rimbursimi i tarifave prej 7500 lekësh është simbolik, ndaj kanë kërkuar marrjen e masave të mëtejshme për të stimuluar blerjen e mjeteve elektrike.