Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë një demonstrate të sindikatës Verdi në kryeqytetin bavarez. Sipas konfirmimeve nga policia, një makinë është futur në një grup njerëzish, duke shkaktuar një numër të madh të lënduarish.
Sipas informacioneve nga burime zyrtare, të cilat i ka siguruar gazeta BILD, numri i të plagosurve është të paktën 15. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë autoambulanca dhe ekipet e shpëtimit për të dhënë ndihmën e parë për të dëmtuarit.
Deri më tani, ende nuk dihen detaje mbi arsyet e këtij akti të tmerrshëm. Megjithatë, sipas raportimeve të “BR24”, një dëshmitar ka deklaruar se automjeti është drejtuar me qëllim drejt protestuesve.
Policia dhe autoritetet përkatëse po hetojnë rrethanat e këtij incidenti për të përcaktuar motivet dhe përgjegjësinë e shoferit. Më shumë detaje priten në orët në vijim.