UBT News

Makao, nga qendra e lojërave të fatit tek turizmi shëndetësor luksoz

Makao, që gati 20 vjet më parë i’a kaloi Las Vegasit si qendra më e madhe e lojërave të fatit në botë, tani po synon të bëhet një destinacion kryesor i turizmit shëndetësor.

Rajoni special administrativ i Kinës hapi këtë javë spitalin e parë brenda një resorti që ofron shërbime mjekësore luksoze, përfshirë kontrolle shëndetësore, skanime të avancuara dhe ndërhyrje estetike, raporton BBC.

Ky institucion ndodhet në Studio City të Makaos, një resort kazinoje dhe argëtimi me tematikë holivudiane, në pronësi të kompanisë Melco Resorts and Entertainment me bazë në Hong Kong.

Sipas drejtorit ekzekutiv të kompanisë, Lawrence Ho, projekti ka për qëllim të promovojë turizmin mjekësor, të krijojë vende pune e bashkojë kujdesin shëndetësor me argëtimin nën një çati të vetme. Melco Resorts e përshkruan këtë koncept si “revolucionar”, duke synuar të tërheqë vizitorë rajonalë e ndërkombëtarë, që qëndrojnë më gjatë dhe të shpenzojnë më shumë brenda resortit dhe qytetit.

Makao, që çdo vit tërheq rreth 40 milionë vizitorë, paraqet një “mundësi të pakrahasueshme” për t’u bërë një destinacion kryesor i turizmit mjekësor, sipas kryetarit nderi të iRad, Dennis Tam.

Ho tha se projekti është në përputhje me strategjinë e Makaos për të diversifikuar ekonominë, e cila ka mbështetur pjesën më të madhe të të ardhurave në industrinë e lojërave të fatit. Bumi në Makao nisi në fillim të viteve 2000, kur autoritetet hapën tregun për operatorë të huaj.

Që atëherë, Makao ka kaluar Las Vegasin për nga të ardhurat nga lojërat e fatit, por pati vështirësi në zgjerimin e ekonomisë përtej argëtimit. Sot, shumica e të ardhurave të qeverisë së Makaos vijojnë të vijnë nga taksat mbi lojërat e fatit.

Pandemia e COVID-19 goditi ekonominë e fokusuar te kumari, duke sjellë mbyllje të kazinove e rënie drastike të të ardhurave. Megjithatë, autoritetet po punojnë për të diversifikuar ekonominë, duke nxitur sektorë si kujdesi shëndetësor, teknologjia dhe organizimi i eventeve.

Industria globale e turizmit mjekësor vlerësohet në dhjetëra miliarda dollarë dhe pritet të rritet ndjeshëm gjatë dekadës së ardhshme.

Azia ka dalë si qendër kryesore për këtë lloj turizmi: pacientët e pasur udhëtojnë drejt Koresë së Jugut për ndërhyrje estetike, ose tek spitalet private të Singaporit për trajtime të avancuara.

Spitalet e Indisë ofrojnë trajtime më të përballueshme krahasuar me vendet perëndimore, ndërsa Turqia është bërë e njohur për procedura mjekësore me kosto të ulët, duke përfshirë transplantet dhe stomatologjinë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version