DJ-i dhe producenti turk Mahmut Orhan ka performuar për herë të parë në Prishtinë, duke dhuruar një natë plot energji dhe atmosferë elektrizuese për publikun kosovar.
Koncerti, i mbajtur më 4 korrik, mblodhi një numër të madh adhuruesish të muzikës elektronike, të cilët krijuan atmosferë të zjarrtë që nga minutat e para të performancës.
I njohur për ndërthurjen e ritmeve elektronike me elemente melodike, Orhan interpretoi disa nga hitet e tij më të njohura, duke e mbajtur publikun në këmbë gjatë gjithë mbrëmjes.
Një nga momentet më të veçanta ishte kur ai përfshiu në setin e tij këngën “Si ai” të artistes kosovare Tayna. Ky veprim u prit me entuziazëm të madh nga të pranishmit, të cilët kënduan dhe festuan njëzëri, duke e kthyer atë në një nga kulmet e natës.
Reagimi i publikut ishte i jashtëzakonshëm gjatë gjithë koncertit, ndërsa debutimi i Mahmut Orhan në Kosovë u mbyll me duartrokitje të gjata, duke e shndërruar mbrëmjen në një nga ngjarjet më të veçanta muzikore të kësaj vere në Prishtinë./A.K/
