Një nga yjet e sezonit të dytë të serialit të famshëm “Squid Game” ka kërkuar falje publike pasi dyshohet se ka zbuluar pa dashje një element të rëndësishëm të ngjarjes, muaj përpara publikimit të finales.
Aktorja koreano-jugore, Park Gyu-young, e cila iu bashkua kastit të “Squid Game” në sezonin e dytë si Kang No-eul – një ish-ushtare dhe dezertuese nga Koreja e Veriut që bëhet një prej Rojeve Rozë, publikoi në janar një foto nga prapaskenat që më vonë u interpretua si ‘spoiler’ nga fansat e serialit.
Në imazhin e shpërndarë në rrjet, Park shfaqej me uniformën e Rojeve Rozë’, personazhet që mbikëqyrin lojën dhe janë ata që ekzekutojnë lojtarët e eliminuar. Ajo që i vuri në lëvizje fansat ishte ajo çka u pa në sfond: Lee Jin-Wook, i cili luan rolin e Lojtarit 246, duke mbajtur gjithashtu të njëjtën uniformë.
Kjo foto, e publikuar disa javë pas daljes së sezonit të dytë në fund të dhjetorit, bëri që ndjekësit të zbulojnë një zhvillim të ngjarjes – se personazhi i Jin-wook do të maskohej si një nga ‘Rojet Rozë’ në sezonin final.
Ngjarja shkaktoi reagime në rrjet, pasi sezoni i tretë i “Squid Game” u lansua vetëm gjashtë muaj më vonë e foto u interpretua si një zbulim i madh që prishi surprizën e fansave. Pas bujës së krijuar, Park Gyu-young, kërkoi ndjesë për publikimin e paqëllimshëm të informacionit, duke theksuar se nuk kishte ndërmend të zbulonte ndonjë detaj të ngjarjes dhe se ishte një gabim gjatë ndarjes së materialeve nga xhirimet.
“Squid Game”, që u bë fenomen global pas publikimit të tij më 2021, ka vazhduar të ruajë popullaritetin me sezonet pasuese. Seriali ka kthyer në yje ndërkombëtarë aktorë si Lee Jung-jae dhe ka fituar një numër të madh çmimesh e vlerësimesh kritike.