UBT News

Madonna rikthehet te Warner Records dhe paralajmëron album

Këngëtarja e njohur si mbretëresha e muzikës pop, Madonna, ka nënshkruar sërish kontratë me Warner Records, shtëpinë diskografike ku filloi karrierën e saj. Ajo ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm do të publikojë një album të ri me titull “Confessions Of A Dance Floor Part 2”.

67 vjeçarja e njohur për hitin “Frozen”, kaloi 25 vitet e para të karrierës te Warner para se të largohej pothuajse dy dekada më parë.

Tani ajo thotë se ndihet e lumtur që është rikthyer.

“Që nga fillimi, Warner Records ka qenë një partner i vërtetë për mua. Jam e lumtur që jemi ribashkuar e mezi pres të sjell gjëra të papritura e të nxis disa biseda të nevojshme”, ka deklaruar Madonna, sipas FemaleFirst.

Në rrjetet sociale, ajo ka ndarë edhe disa fotografi, përfshirë disa me një makinë shkrimi.

“Pothuajse dy dekada më vonë, ndihet si të jem në shtëpi me Warner Records! Rikthim te muzika, te pista e vallëzimit, te gjithçka ku gjithçka filloi! COADF P.2, 2026”, shkruan artistja.

Kryetarët e Warner Records, Tom Carson dhe Aaron Bay-Schuck, e quajtën rikthimin moment historik: “Ky nënshkrim përfaqëson një rikthim të plotë në rrethin e saj artistik, duke e sjellë sërish aty ku gjithçka nisi dhe duke riafirmuar ndikimin e saj të pakrahasueshëm.”

Albumi i ri është vazhdim i suksesit të “Confessions on a Dancefloor” (2005), që solli hite si “Hung Up”, “Sorry” dhe “Jump”.

Madonna kishte dhënë sinjale për projektin që në shkurt, kur shkroi se po përgatit muzikë të re: “Dhurata ime e Shën Valentinit për të gjithë fansat është t’ju tregoj se po vë gjithë zemrën e shpirtin në muzikën e re. Nuk mund të pres ta ndaj me ju!! ‘Confessions Part 2’”.

Këngëtarja po punon sërish me producentin/DJ Stuart Price, i cili kishte punuar edhe në albumin e parë dhe kishte bashkëpunuar me të në turne të mëdha si Re-Invention Tour (2004), Confessions Tour (2006) dhe më së fundmi në The Celebration Tour (2023–2024).

Madonna kishte paralajmëruar rikthimin edhe në dhjetor:

“Punoj me Stuart Price për muzikë të re. Këta muaj kanë qenë ilaç për shpirtin tim. Shkrimi i këngëve dhe krijimi i muzikës është e vetmja gjë ku nuk më duhet leja e askujt. Jam shumë e emocionuar ta ndaj me ju. Kush dëshiron të dëgjojë muzikë të re në vitin 2025?”

Ky do të jetë albumi i saj i parë pas “Madame X” (2019). /A.Z/UBT News/

Exit mobile version