Mbretëresha e muzikës pop, Madonna, është rikthyer me albumin e ri “Confessions II”, një vazhdim i drejtpërdrejtë i albumit të saj të suksesshëm “Confessions on a Dance Floor” të vitit 2005.
Në kopertinën e albumit, fytyra e artistes mbulohet nga një vello vjollcë, ndërsa në hyrje të projektit ajo shprehet: “Ndonjëherë më pëlqen të fshihem në hije. Të krijoj një personazh të ri, një identitet tjetër. Mund të jem kush të dua.”
Pas një beteje serioze me sepsën që i rrezikoi jetën, Madonna rikthehet në atmosferën e klubeve të natës, duke sjellë një album që feston lirinë, vallëzimin dhe arratisjen përmes muzikës. Në tekstet e këngëve, ajo kritikon gjithashtu një brez që, sipas saj, po zëvendëson përjetimet reale me kohën e kaluar në TikTok.
Albumi është realizuar sërish në bashkëpunim me producentin britanik Stuart Price, i cili kishte punuar edhe në projektin origjinal të vitit 2005. Sipas Madonnës, synimi i tyre ishte që albumi i ri të ishte po aq i mirë ose edhe më i mirë se paraardhësi.
Kritikët vlerësojnë se, megjithëse “Confessions II” nuk e tejkalon plotësisht albumin origjinal, ai i afrohet nivelit të tij, veçanërisht në pjesën e parë, e cila dominohet nga ritme energjike dance dhe atmosfera tipike e muzikës së klubeve.
Një nga momentet më të vlerësuara të albumit është kënga “Danceteria”, ku Madonna rikthehet në fillimet e karrierës së saj, duke i kushtuar një homazh klubit ku hodhi hapat e parë drejt suksesit dhe kujton njerëzit që e ndihmuan të siguronte kontratën e saj të parë diskografike./A.K/
