Këngëtarja e njohur amerikane Madonna ka zbuluar se filmi biografik për jetën e saj u anulua pas mosmarrëveshjeve me studion Universal Pictures lidhur me buxhetin e projektit.
Në një intervistë për revistën Interview, artistja tha se historia e jetës së saj kërkonte një prodhim të madh dhe, rrjedhimisht, një buxhet të konsiderueshëm.
Madonna tregoi se kishte propozuar zhvendosjen e xhirimeve në Serbi për të ulur kostot, por ideja nuk u mbështet nga studioja. Sipas saj, drejtuesit e projektit nuk ishin të bindur se ajo do të qëndronte atje për realizimin e filmit.
Projekti u njoftua fillimisht në vitin 2020, me Madonnën në rolin e regjisores. Aktorja Julia Garner ishte përzgjedhur për të interpretuar këngëtaren pas një procesi të gjatë audicionesh.
Megjithatë, në vitin 2023 u raportua se filmi, i cili mbante titullin e përkohshëm “Who’s That Girl”, ishte anuluar.
Madonna zbuloi gjithashtu se kishte shqyrtuar mundësinë e realizimit të historisë së saj si serial për Netflix, por hasi në pengesa ligjore pasi të drejtat e skenarit mbetën në pronësi të Universal Pictures.
Artistja tha se zhvillimi i një seriali rezultoi më i ndërlikuar sesa kishte parashikuar, duke kërkuar bashkëpunim me skenaristë të shumtë dhe gjetjen e ekipit të duhur krijues për ta çuar projektin përpara./A.K/
